Share

Autor: Florin Lata

Ky artikull është publikuar fillimisht në World Trademark Review.

  • Regjistrimi i paligjshëm i markave të njohura tregtare përbën një problem të konsiderueshëm në Kosovë.
  • Agjencia për Pronësi Industriale ka nxjerrë udhëzime administrative për regjistrimin e markave tregtare, me qëllim të adresimit të këtij problemi.
  • Megjithatë, Agjencisë shpesh i mungojnë mjetet e nevojshme për identifikimin e markave të njohura, ndërsa bartësit e ligjshëm të të drejtave nuk paraqesin kundërshtime ndaj aplikimeve të tilla.

Në kontekstin e zhvillimit të vazhdueshëm të tregut global, Kosova, sikurse shumë shtete të tjera, përballet me një sfidë të konsiderueshme: përvetësimin e paligjshëm të markave të njohura tregtare.

Duke shfrytëzuar hezitimin e shumë kompanive shumëkombëshe për t’i regjistruar markat e tyre tregtare në Kosovë, disa subjekte, vendore dhe të huaja, po regjistrojnë në emrin e tyre marka të njohura ndërkombëtarisht.

Gjatë muajve të fundit është vërejtur një trend i regjistrimit të markave të njohura tregtare që u dedikohen kategorive të caktuara të konsumatorëve, siç janë pjesët e kamionëve dhe produktet ushqimore. Pas marrjes së certifikatës së regjistrimit të markës tregtare, këto subjekte fillojnë prodhimin ose importimin e mallrave në tregun e Kosovës, ndërsa ekziston një mundësi e madhe që më pas këto mallra të transportohen edhe në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo praktikë e dëmshme mundësohet kryesisht nga fakti se Kosova nuk është pjesë e Protokollit të Madridit, gjë që bën që vendi ynë shpesh të anashkalohet nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare.

Udhëzimet e reja

Në përgjigje të këtij problemi urgjent, Agjencia për Pronësi Industriale e Kosovës ka nxjerrë udhëzime administrative për regjistrimin e markave tregtare.

Këto udhëzime, të përcaktuara në nenin 10, paragrafi 12, theksojnë rëndësinë e shqyrtimit të kujdesshëm të aplikimeve për regjistrimin e markave të njohura ose me reputacion ndërkombëtar.

Çdo indikacion për keqpërdorim përbën bazë për refuzimin e aplikimit.

Pengesat dhe zgjidhjet

Megjithatë, rrethanat aktuale dallojnë nga qëllimi i rregullimit ligjor. Agjencisë shpesh i mungojnë mjetet e nevojshme për të identifikuar markat e njohura tregtare ose për të pasur qasje në informacionet përkatëse që do të mundësonin identifikimin e tyre.

Si rrjedhojë, mungesa e kundërshtimeve nga bartësit e ligjshëm të të drejtave, shpesh për shkak të mungesës së informacionit, ka rezultuar në regjistrimin e papenguar të këtyre markave tregtare.