Share

Me një vlerësim prej 95.9 nga 100 pikë për lehtësinë e fillimit të një biznesi, Banka Botërore e renditi Kosovën në vendin e 12-të nga 190 vende, duke marrë parasysh procedurat, kohën, kostot dhe kërkesat për kapitalin minimal të paguar, të nevojshme për themelimin e një biznesi në Kosovë.

Kompanitë e huaja mund të ushtrojnë veprimtari biznesore në Kosovë pa kufizime të veçanta: procedura e themelimit është e njëjtë për bizneset vendore dhe të huaja, ndërsa ndaj tyre zbatohen të njëjtat ligje.

Në përputhje me kërkesat e përcaktuara për bizneset vendore, kompanitë e huaja që synojnë të ushtrojnë veprimtari ekonomike në territorin e Kosovës janë të detyruara të iniciojnë procedurën e regjistrimit të biznesit pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (në vijim: “ARBK”), si hap paraprak.

Shikoni dokumentin mbi format e organizimit të bizneseve në Kosovë (PDF)

Themelimi i një biznesi në Kosovë është një proces i thjeshtë dhe i shpejtë. Procedura e regjistrimit pranë ARBK-së zgjat mesatarisht tri (3) ditë pune. Prania fizike e pronarit ose drejtorit të kompanisë nuk është e detyrueshme.

Aplikimi për regjistrim mund të bëhet fizikisht në njërën nga 29 qendrat komunale të ARBK-së, varësisht nga vendndodhja e ushtrimit të veprimtarisë. Gjithashtu, aplikimi mund të bëhet edhe në mënyrë elektronike përmes platformës së regjistrimit të bizneseve të ARBK-së.

Është e rëndësishme të theksohet se, sipas ndryshimeve të fundit ligjore, gjatë themelimit të kompanisë pranë ARBK-së ekziston detyrimi për dokumentimin dhe dorëzimin e të dhënave të pronarit përfitues përfundimtar (në vijim: “PPF”). Të dhënat e kërkuara duhet t’i dorëzohen ARBK-së nga personi i autorizuar në momentin e regjistrimit fillestar.

Për më tepër, subjekti i detyruar duhet ta njoftojë Agjencinë për Regjistrimin e Pronarëve Përfitues (ARKB) për çdo ndryshim të të dhënave të personit të autorizuar brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve të punës nga momenti kur ndodhin këto ndryshime. Mosraportimi mund të rezultojë në shqiptimin e gjobave administrative dhe sanksioneve të tjera të parashikuara me legjislacionin në fuqi.

Pas regjistrimit të kompanisë dhe pajisjes me Certifikatën e Biznesit, hapat e parë të përgjithshëm përfshijnë hapjen e një llogarie bankare (e cila nuk kërkon praninë e pronarit), përgatitjen e vulës së kompanisë dhe pajisjen me Certifikatën e TVSH-së (nëse kompania regjistrohet vullnetarisht për TVSH në momentin e themelimit).

Investitorët mund të ushtrojnë veprimtari biznesore përmes formave të organizimit që kanë ose nuk kanë personalitet juridik të ndarë nga themeluesit e tyre.

Megjithatë, organizatat biznesore me personalitet juridik, si Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (3.1) ose Shoqëritë Aksionare (3.2), përgjithësisht preferohen ndaj formave pa personalitet juridik (3.3), me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së investitorëve.

Ekzistojnë gjithashtu forma të veçanta të organizimit të bizneseve (3.4), të cilat janë në dispozicion të kompanive të huaja.