Share

Ligji Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës në Kosovë shërben si një instrument kyç për ruajtjen e kushteve të drejta dhe të hapura të tregut, duke adresuar sjelljet antikonkurruese, mbështetur parimet e tregut të lirë dhe synuar harmonizimin me standardet ligjore të Bashkimit Evropian. Ligji i jep Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës (AKRK) kompetenca për të hetuar, sanksionuar dhe parandaluar praktikat kufizuese dhe sjelljet abuzive në treg.

Korniza ligjore pasqyron përpjekjet më të gjera të Kosovës për harmonizimin me rregullat e konkurrencës të Bashkimit Evropian dhe forcimin e zbatimit të parimeve të tregut. Ajo mbështet krijimin e një mjedisi ekonomik konkurrues dhe transparent, duke kontribuar në sigurinë juridike për bizneset që operojnë ose zhvillojnë veprimtari ekonomike në tregun e Kosovës.

Fushëveprimi territorial – Ligji zbatohet ndaj të gjitha ndërmarrjeve, personave fizikë ose juridikë, që ushtrojnë veprimtari ekonomike të cilat mund të ndikojnë në konkurrencën në Kosovë, pavarësisht vendit ku janë të themeluara. Ky zbatim jashtëterritorial siguron që subjektet vendore dhe të huaja t’u nënshtrohen të njëjtave standarde kur sjellja e tyre ndikon në tregun vendor dhe të mbajnë përgjegjësi për ndikimin e tyre në dinamikën e konkurrencës në këtë treg.

Ligji ndalon shprehimisht:

  • Marrëveshjet antikonkurruese (horizontale dhe vertikale), përfshirë kartelet, marrëveshjet për fiksimin e çmimeve dhe ndarjen e tregut. Ndërmarrjet e përfshira në marrëveshje të ndaluara të kartelit mund të gjobiten nga AKRK-ja deri në 10% të qarkullimit të tyre të përgjithshëm global gjatë vitit financiar paraprak.
  • Abuzimin me pozitën dominuese, siç është vendosja e çmimeve të padrejta ose kufizimi i prodhimit në dëm të konsumatorëve. Një ndërmarrje prezumohet se ka pozitë dominuese nëse zotëron të paktën 40% të tregut përkatës, përveç nëse vërtetohet e kundërta. Një grup ndërmarrjesh me pjesëmarrje të përbashkët në treg mbi 60% mund të prezumohet gjithashtu se ka pozitë dominuese, nëse ato veprojnë në mënyrë të pavarur në treg. Nën këto pragje, barra e provës i takon AKRK-së.
  • Përqendrimet e caktuara ndërmjet ndërmarrjeve, të cilat mund të kufizojnë ndjeshëm konkurrencën.

Detyrimet për njoftimin e përqendrimeve – Bashkimet, blerjet ose format e tjera të përqendrimit të ndërmarrjeve i nënshtrohen njoftimit paraprak pranë AKRK-së, nëse plotësohen pragjet e caktuara financiare. Autoriteti mund t’i miratojë, t’i miratojë me kushte ose t’i ndalojë këto transaksione, varësisht nga ndikimi i tyre i mundshëm në strukturën e tregut.

Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës lejon që marrëveshje të caktuara të përjashtohen nga ndalimi, përfshirë:

  • Marrëveshjet vertikale (shpërndarja ekskluzive ose selektive, blerja ekskluzive);
  • Marrëveshjet horizontale (kërkimi, zhvillimi dhe specializimi);
  • Marrëveshjet për transferimin e teknologjisë, shpërndarjen dhe servisimin e automjeteve, sigurimet, si dhe marrëveshjet në sektorin e transportit.

Gjithashtu, përjashtohen marrëveshjet në të cilat palët dhe ndërmarrjet që ato kontrollojnë kanë pozitë të parëndësishme në treg dhe pjesëmarrja e tyre e përbashkët në treg nuk tejkalon:

  • 10%, për marrëveshjet horizontale;
  • 15%, për marrëveshjet vertikale;
  • 10%, për marrëveshjet që kanë karakteristika të marrëveshjeve horizontale dhe vertikale, ose kur është e vështirë të përcaktohet nëse marrëveshja është vertikale apo horizontale;
  • 30%, nëse marrëveshjet ndërmjet pjesëmarrësve të ndryshëm kanë ndikim të konsiderueshëm në treg dhe pjesëmarrja individuale e secilit pjesëmarrës nuk tejkalon 5% në secilin treg përkatës ku shfaqen efektet e marrëveshjes.

Në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ligji pasqyron në masë të konsiderueshme dispozitat themelore të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE), si dhe rregulloret përkatëse të BE-së. Ky harmonizim ligjor ofron siguri më të madhe juridike për investitorët dhe lehtëson integrimin e Kosovës në hapësirën ligjore dhe ekonomike evropiane.

Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës i janë dhënë kompetenca të zgjeruara hetimore, përfshirë mundësinë e kryerjes së inspektimeve të papritura në ambientet e ndërmarrjeve, kërkimin e qasjes në dokumentacionin biznesor dhe të dhënat elektronike, si dhe shqiptimin e gjobave të konsiderueshme administrative për mosrespektimin ose shkeljen e rregullave të konkurrencës.

Gjatë viteve të fundit, AKRK-ja ka treguar një qasje më aktive në zbatimin e ligjit, duke hetuar kartelet e dyshuara, shqyrtuar sjelljen e ndërmarrjeve me pozitë dominuese në treg dhe vlerësuar me rigorozitet më të madh aktivitetet e bashkimeve dhe blerjeve të ndërmarrjeve.

Korniza ligjore e konkurrencës në Kosovë luan rol të rëndësishëm në promovimin e konkurrencës së drejtë në treg dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Harmonizimi i saj me standardet e BE-së pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të vendit për sundimin e ligjit dhe krijimin e një mjedisi ekonomik të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Megjithatë, efektiviteti i ligjit varet në masë të madhe nga zbatimi i vazhdueshëm i tij dhe rritja e ndërgjegjësimit të pjesëmarrësve në treg. Bizneset që operojnë në Kosovë ose planifikojnë të hyjnë në treg duhet t’i vlerësojnë me kujdes praktikat e tyre tregtare dhe strategjitë e bashkimit dhe blerjes së ndërmarrjeve, për të siguruar përputhshmërinë me detyrimet ligjore në fuqi.

Autore: Agnesa Azemi Ademi

Ky artikull është publikuar fillimisht në CEE Legal Matters.