Share

Pronësia intelektuale i referohet krijimeve të mendjes njerëzore, si shpikjet, veprat letrare dhe artistike, dizajnet, simbolet, emrat dhe imazhet që përdoren në tregti. Kosova ka shënuar zhvillim të rëndësishëm në industrinë e muzikës dhe filmit, si dhe në industrinë e modës, ndërsa këngëtarët, kineastët dhe dizajnerët kosovarë janë të njohur edhe në arenën ndërkombëtare.

Shikoni dokumentin mbi pronësinë intelektuale në Kosovë (PDF)

Kosova karakterizohet jo vetëm nga një rini shumë aktive, por edhe nga një mjedis dinamik biznesor, gjë që ka nxitur krijimin e një kornize të fuqishme ligjore për mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Për t’iu përgjigjur nevojave të saj shoqërore dhe ekonomike, si dhe për të qenë në hap me rregulloret dhe direktivat evropiane, Kosova së fundmi ka ndërmarrë reforma të thella dhe ndryshime në legjislacionin për pronësinë intelektuale. Në vitin 2022, Kosova miratoi ligjet e reja për markat tregtare, patentat, dizajnin industrial dhe sekretet tregtare.

Kosova ofron një rregullim gjithëpërfshirës të pronësisë intelektuale dhe ka vendosur mekanizmat e nevojshëm për zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave që burojnë nga ky legjislacion.

Zbatimi dhe mbikëqyrja e këtyre rregullave janë përgjegjësi e dy organeve të veçanta: Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, e cila funksionon si organ administrativ në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Agjencisë për Pronësi Industriale, e cila vepron si organ administrativ qendror në kuadër të Ministrisë së Tregtisë.

Këto organe administrative janë përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit që rregullon të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, markat tregtare, dizajnet industriale, emërtimet e origjinës, treguesit gjeografikë dhe çështje të tjera që burojnë nga ligjet për pronësinë intelektuale, sipas kompetencave përkatëse të secilit organ.

Përveç mbrojtjes administrative, në vitin 2022 Kosova themeloi edhe Gjykatën Komerciale, e cila është kompetente për shqyrtimin, ndër të tjera, të kontesteve që burojnë nga e drejta e autorit dhe të drejtat e pronësisë industriale, përfshirë markat tregtare, patentat, dizajnet industriale dhe sekretet tregtare.

Duke pasur një kornizë ligjore të përditësuar dhe mekanizmat përkatës për zbatimin dhe mbrojtjen e saj, Kosova ofron një mjedis të favorshëm për pronësinë intelektuale. Individët dhe bizneset në Kosovë përfitojnë nga mbrojtja e të drejtave të tyre të pronësisë intelektuale.