Share

Autorë: Florin Lata dhe Ted Ginsburger

Parimi i shterimit të të drejtave

Sipas parimit të shterimit të të drejtave, pronari i një marke tregtare nuk mund të ndalojë shpërndarjen e mëtejshme të një produkti që ai vetë e ka vendosur në një treg të përcaktuar gjeografikisht.

Varësisht nga legjislacioni i shtetit përkatës, parimi i shterimit të të drejtave mund të zbatohet në nivel ndërkombëtar, rajonal ose kombëtar.

Ligji i ri i Kosovës Nr. 08/L-075 për Markat Tregtare, i cili ka hyrë në fuqi më 28 korrik 2022, e ka zgjeruar fushëveprimin territorial të këtij parimi nga niveli kombëtar në atë rajonal, duke lënë disa paqartësi lidhur me zbatimin e parimit të ri në rastet e iniciuara sipas ligjit të mëparshëm.

Rasti Coca-Cola

Më 24 mars 2022, kompania The Coca-Cola Company paraqiti padi për shkelje të markës tregtare, duke kërkuar caktimin e një mase të përkohshme me të cilën të paditurit do t’i ndalohej importimi, eksportimi dhe vendosja në tregun e Kosovës e produkteve që mbajnë markat tregtare të regjistruara të paditëses.

Sipas paditëses, vendosja e një produkti në tregun përkatës mund të bëhet vetëm nga bartësi i markës tregtare, përfaqësuesi i tij i autorizuar ose me pëlqimin e tij.

Në rastet e mëparshme, The Coca-Cola Company kishte arritur të siguronte masa të tilla të përkohshme ndaluese para gjykatave të Kosovës.

Megjithatë, duke zbatuar parimin e ri të shterimit rajonal të të drejtave, Gjykata Komerciale e Kosovës, më 18 tetor 2022, në shkallë të parë, refuzoi kërkesën e paditëses për caktimin e masës së përkohshme. Ky vendim u konfirmua në shkallë të dytë më 21 shkurt 2023.

Sipas nenit 14, paragrafi 1, të Ligjit të ri për Markat Tregtare, pronari i markës tregtare nuk mund të ndalojë importimin e produkteve që mbajnë markën e tij pasi ato të jenë vendosur prej tij në tregjet e mëposhtme:

  • Republikën e Kosovës;
  • Bashkimin Evropian;
  • Zonën Ekonomike Evropiane;
  • Rajonin e Ballkanit Perëndimor;
  • Një shtet me të cilin Republika e Kosovës ka marrëveshje të tregtisë së lirë ose lehtësira tregtare.

Ky përbën një ndryshim të rëndësishëm, pasi ligji i mëparshëm për markat tregtare parashihte vetëm shterimin kombëtar të të drejtave. Kjo nënkuptonte se shterimi zbatohej vetëm për produktet e vendosura në tregun e Kosovës nga bartësi i të drejtave të markës tregtare.

Duke interpretuar nenin 14 si dispozitë që përcakton zbatimin rajonal të parimit të shterimit të të drejtave, Dhoma e Shkallës së Parë vlerësoi se paditësja kishte humbur të drejtën për të ndaluar përdorimin e markave të saj tregtare në Kosovë, pasi ajo vetë i kishte vendosur produktet në tregun e Republikës së Shqipërisë.

Për rrjedhojë, kërkesa e paditëses u konsiderua pa bazë ligjore dhe u refuzua.

Dhoma e Shkallës së Dytë konfirmoi përfundimin dhe qëndrimin juridik të Dhomës së Shkallës së Parë. Megjithatë, refuzimi i kërkesës duket se u mbështet edhe në faktin se paditësja nuk kishte arritur të dëshmonte se moscaktimi i masës së përkohshme do ta vështirësonte realizimin e kërkesëpadisë kryesore.

Koment

Për të siguruar një interpretim më gjithëpërfshirës të parimit të ri të shterimit rajonal të të drejtave, do të jetë e nevojshme të pritet vendimi në procedurën kryesore.

Megjithatë, vendimi i Gjykatës Komerciale paraqet një nga zbatimet e para të parimit të shterimit rajonal në një kërkesë të paraqitur sipas ligjit të mëparshëm.

Ai gjithashtu dëshmon se si ky parim i ri mund t’i pengojë pronarët e markave tregtare të sigurojnë masa të përkohshme kundër importimit të produkteve të tyre në Kosovë, masa të cilat mund të ishin siguruar sipas legjislacionit të mëparshëm.

Një çështje tjetër që mbetet për t’u sqaruar është mënyra se si gjykatat e Kosovës do ta interpretojnë nenin 14, paragrafi 2, i cili përjashton zbatimin e parimit të shterimit në rastet e produkteve të ndryshuara ose të dëmtuara.

Sa u përket produkteve që vijnë nga jashtë territorit ku zbatohet shterimi rajonal, një interpretim i gabuar mund të çojë në përfundimin se pronari i markës tregtare nuk mund ta kundërshtojë importimin e tyre nëse nuk dëshmohet se produktet janë ndryshuar ose dëmtuar më parë.

Një interpretim i tillë do të kishte pasoja të konsiderueshme për tregun.


Ky artikull është publikuar fillimisht në WTR Daily, pjesë e World Trademark Review, në maj 2023.

Për më shumë informacion, vizitoni World Trademark Review.