Share

Autorë: Florin Lata dhe Ted Ginsburger

Udhëzimi Administrativ ofron rregulla të detajuara për procedurat e ndryshme që lidhen me markat tregtare.

  • Neni 10 trajton refuzimin e aplikimeve për regjistrimin e markave tregtare për shkaqe absolute.
  • Udhëzimi përmban një listë jo shteruese të faktorëve që duhet të merren parasysh gjatë vlerësimit nëse një aplikim është paraqitur në keqbesim.

Ligji Nr. 08/L-075 për Markat Tregtare (në vijim: “Ligji për Markat Tregtare”) reformoi në mënyrë të konsiderueshme legjislacionin e Kosovës për markat tregtare gjatë vitit 2022, por njëkohësisht parashikoi miratimin e disa akteve nënligjore për plotësimin dhe zbatimin e dispozitave të tij.

Me qëllim të sigurimit të zbatimit të plotë të Ligjit për Markat Tregtare, Ministria e Industrisë e Kosovës nxori Udhëzimin Administrativ Nr. 08/2023 për Procedurën e Regjistrimit të Markave Tregtare, i cili u publikua më 7 gusht 2023 dhe hyri në fuqi shtatë ditë më vonë.

Udhëzimi rregullon një sërë çështjesh, duke përfshirë procedurat për markat tregtare, paraqitjen dhe përshkrimin e markave, si dhe shkaqet për refuzimin e regjistrimit.

Procedurat dhe dokumentacioni

Udhëzimi Administrativ përcakton rregulla të hollësishme për procedurat e ndryshme lidhur me markat tregtare, si dhe formularët dhe dokumentet që duhet t’u bashkëngjiten kërkesave, veçanërisht për:

  • Aplikimet për regjistrimin e markave tregtare, duke përfshirë kërkesat për paraqitjen elektronike të markës;
  • Kërkesat për shqyrtim të përshpejtuar të aplikimit, të cilat mund të arsyetohen vetëm nga rrethana të jashtëzakonshme dhe jo vetëm nga humbjet e mundshme që lidhen me faktin se marka ende nuk është regjistruar;
  • Vërejtjet e palëve të treta, të cilat duhet të paraqiten brenda tre muajve nga data e publikimit të aplikimit për regjistrimin e markës tregtare;
  • Kundërshtimet ndaj regjistrimit të markave tregtare, dëshmitë për përdorimin e markës së mëparshme, shqyrtimin e kundërshtimeve dhe procedurën e mundshme të ndërmjetësimit;
  • Kërkesat e aplikuesit ose të bartësit të markës tregtare për kufizimin e listës së mallrave dhe shërbimeve, si dhe për ndarjen e aplikimit ose të regjistrimit.

Paraqitja dhe përshkrimi i markës tregtare

Udhëzimi Administrativ përcakton kërkesa të veçanta për paraqitjen dhe dorëzimin e markave tregtare fjalë dhe figurative, si dhe të markave zanore, të ngjyrave dhe atyre tredimensionale.

Gjithashtu, ai ofron udhëzime për regjistrimin e llojeve të markave që nuk ishin rregulluar në mënyrë specifike me Ligjin për Markat Tregtare, siç janë markat me lëvizje, markat multimediale dhe markat holografike.

Regjistrimi i markave tregtare në keqbesim

Neni 10 i Udhëzimit Administrativ trajton refuzimin e aplikimeve për regjistrimin e markave tregtare për shkaqe absolute.

Pas pranimit të njoftimit për ekzistimin e shkaqeve absolute të refuzimit, aplikuesi ka mundësinë të paraqesë vërejtje shtesë, të kufizojë listën e mallrave dhe shërbimeve ose të tërheqë aplikimin.

Neni 10 i referohet, në veçanti, refuzimit nga Agjencia për Pronësi Industriale (API) të aplikimeve të paraqitura në keqbesim.

Përderisa Ligji për Markat Tregtare nuk kishte përcaktuar kritere specifike për vlerësimin e keqbesimit, Udhëzimi Administrativ përmban një listë jo shteruese të faktorëve që duhet të merren parasysh gjatë këtij vlerësimi, e cila është e ngjashme me listën e faktorëve të rekomanduar nga Shoqata Ndërkombëtare e Markave Tregtare (INTA).

Markat tregtare të mirënjohura

Neni 10 parashikon gjithashtu refuzimin nga API të aplikimeve që përmbajnë “marka tregtare të mirënjohura ose me reputacion ndërkombëtar, të regjistruara në bazat ndërkombëtare të të dhënave”.

Për të vlerësuar nëse një markë tregtare është e mirënjohur, API duhet t’i referohet, në veçanti, Rekomandimit të Përbashkët të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) lidhur me dispozitat për mbrojtjen e markave të mirënjohura.

Zbatimi i konceptit të “markave tregtare me reputacion ndërkombëtar, të regjistruara në bazat ndërkombëtare të të dhënave” mund të kërkojë sqarime të mëtejshme, veçanërisht duke pasur parasysh se Kosova nuk është pjesë e Sistemit të Madridit për regjistrimin ndërkombëtar të markave tregtare.

Në çdo rast, regjistrimi nuk përbën kusht të domosdoshëm për të përcaktuar nëse një markë tregtare është e mirënjohur.

Udhëzimi Administrativ përcakton se API mund ta rihapë ose rishqyrtojë, në çdo kohë, procedurën e shqyrtimit lidhur me shkaqet absolute të refuzimit.

Sa u përket markave të mirënjohura, kjo dispozitë mund të kërkojë sqarime të mëtejshme, pasi Udhëzimi Administrativ e përfshin refuzimin e aplikimeve që përmbajnë marka të mirënjohura në nenin 10, i cili trajton shkaqet absolute të refuzimit, ndërsa Ligji për Markat Tregtare e parasheh këtë si shkak relativ për refuzim.

Koment

Në përgjithësi, megjithëse disa dispozita mund të kërkojnë sqarime të mëtejshme, Udhëzimi Administrativ përmban rregullat e nevojshme për zbatimin e Ligjit për Markat Tregtare të vitit 2022.

Në këtë mënyrë, ai kontribuon në garantimin e të drejtave të aplikuesve për regjistrimin e markave tregtare, duke forcuar njëkohësisht mbrojtjen e të drejtave të bartësve të markave të mëparshme.


Ky artikull është publikuar fillimisht në WTR Daily, pjesë e World Trademark Review, në shtator 2023.

Për më shumë informacion, vizitoni World Trademark Review.